Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes avokates së tij, Sophie Menegon, është ankuar për sjelljet e prokurorëve të Speciales ndaj dëshmitares së mbrojtjes, ekspertes së Forenzikës, Helen Fraser. Sipas avokatëve të ish-Presidentit, Prokuroria ka realizuar “sulm hiperbolik” ndaj një profesoreshe e cila ka vënë në dyshim provën kryesore të ZPS-së kundër Thaçit, në rastin “12” ku ai akuzohet për pengim të drejtësisë.

DOKUMENT:

“ZPS-ja – në mënyrë të parakohshme, vë në pikëpyetje peshën që duhet t’i jepet dëshmisë së ekspertizës së Profesores Fraser, me sa duket sepse raporti dhe dëshmia e saj vënë drejtpërdrejt në dyshim besueshmërinë e provës qendrore të ZPS-së. Dëshmia e saj zbulon se veprimet e ZPS-së në këtë rast janë njollosur nga praktika e dobët forenzike”, thuhet në parashtresën e avokates Menegon.

Siç shprehet tutje mbrojtja e Thaçit, zbulimet nga dëshmitarja Fraser “dëshmojnë se ZPS-ja përgatiti transkriptet e bisedave brenda Qendrës së Paraburgimit përmes shtatë personave, të cilët ishin thellësisht të përfshirë në hetim”. Sipas avokatëve, këta individë që kryen transkriptet, nuk janë personel gjuhësor “por analistë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar”.

“Në të vërtetë, materiali i bërë më në fund publik nga ZPS-ja bie në kundërshtim me deklaratat në parashtresat e mëparshme të ZPS-së të dorëzuara në këtë rast, ku identifikoheshin vetëm dy punonjës gjuhësorë (“dy interpretues/përkthyes/transkriptues me përvojë të gjerë përkatëse”, si persona që kishin “përgatitur dhe/ose rishikuar e verifikuar” transkriptet e ZPS-së”, thuhet tutje në parashtrimin e avokatëve mbrojtës në Hagë.

Avokatja Menegon thotë se “evidenca publike tregon qartë se transkriptet e ZPS-së janë të pabesueshme dhe se ato janë cenuar nga paragjykimi njohës (cognitive bias), i shkaktuar nga mosnjohja ose shpërfillja e parimeve përkatëse forenzike nga ana e ZPS-së”.

Ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit rëndojnë akuza nga Prokuroria e Specializuar e Hagës në lidhje me vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë.

Përgjatë gjykimit u transmetuan biseda të transkriptuara mes Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë e të cilat lidhen me veprime jo-ligjore kundrejt rastit “06”, ku ish-Presidenti bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte.

Të njëjtat, ishin temë e ekspertizës së profesoreshës Helen Fraser, e cila dëshmoi në anën e mbrojtjes më 11 maj në Hagë.