Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në mënyrë arbitrare nuk ia ka dhënë fjalën deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, i cili kërkonte që të replikonte me Ministren e Ekonosmisë, Artane Rizvanolli, në lidhje me Projektligjin për Energji.

Pasi që Rizvanolli e përfundoi fjalën e saj, deputeti Shala u nis për të shkuar tek foltorja e Kuvendit, por porsa u nis, Haxhiu iu drejtua me ton të lartë që mos vijë për shkak se nuk do t’ia jepte fjalën.

“Mos të ndodh me u çu pa ta dhënë fjalën se nuk e merr”, i tha Haxhiu Shalës, por deputeti i PDK-së nuk u ndal dhe shkoi te foltorja e Kuvendit. Kur shkoi aty, Haxhiu, me mikrofon të ndalur i thoshte Shalës “vazhdo pra”, duke tentuar që të ironizojë duke qenë se mikrofoni në foltore ishte i ndalur.

“Ulu në vend se nuk e merr fjalën pa ta jap fjalën. Kjo punë u kry. Lexoje rregulloren e punës së Kuvendit dhe e sheh se kush është përgjegjës për me e dhënë fjalë në Kuvendin e Kosovës”, iu drejtua Haxhiu sërish Shalës, dhe shtoi se “kur ta jap fjalën e merrni fjalën, përndryshe nuk ki me e marrë fjalën”.

“Dhe nuk ka të bëjë kjo aspak me inate. Aspak nuk ka të bëjë me inate, po me respekt të institucionit. Duhesh me u mësu me respektu institucionin”, potenconte ajo.

Pas kësaj, Shala shkoi te Haxhiu. Te karriga e Kryetares shkuan edhe Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci dhe ai i PDK-së, Arian Tahiri.

Pas disa momentesh konsultimesh, u kthyen të gjithë në vendet e tyre dhe Haxhiu deklaroi se “Ministrja iu ka referu Grupit Parlamentar të PDK-së, prandaj e ftoj Kryetarin, zotin Bedri Hamza që ta marrë fjalën”.

Në fjalën e tij, Hazma fillimisht i tha Haxhiut që të mos bëhet precedent mosdhënia e fjalës për deputetët në momentet kur i përmenden emrat.

“Zonja Kryetare, gjithë e dimë se je ajo edhe të takon detyra dhe përgjegjësia sa i përket përgjegjësia e interpretimit të Rreugullores së Punës së Kuvendit, por zonja Kryetare mos e bëjë praktikë të lutem, nëse një deputet e di që e ka të drejtën e vetë në bazë të rregullores me pasë replikë kur i përmendet emri me…”, tha fillimisht Hamza, i cili u ndërpre nga Rizvanolli, e cila thoshte se nuk i ka përmendur emrin deputetit Shala.

“Ia ke përmend emrin zonja Ministre, iu ke referu zotërit Ferat Shala, ktheje edhe këqyre. Por, po e tejkalojmë këtë, por mos të bëhet ky precedent e mos të bëhet praktikë se pastaj nuk kemi mbarëvajtje të mirë të punës së Kuvendit”, iu përgjigj Hamza.