Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dhënë përkrahje protestës që do të mbahet të premten, në orën 17:00, kundër Gjykatës Speciale në Tiranë.
Në këtë ngjarje ai ka thënë se shqiptarët bashkohen për drejtësi dhe luftën e pastër çlirimtare.
“Kombi Shqiptar kërkon drejtësi! Shqiptarët kudo që janë, të premten më 17 tetor, në orën 17:00, bashkohen për drejtësi, për luftën e pastër çlirimtare dhe për çlirimtarët tanë!”, shkroi Limaj në Facebook.
“Liria ka emër, UÇK”.
Protesta në Tiranë ka gjetur mbështetje të gjerë gjithandej. Është mbështetur edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Po ashtu, përkrahje i kanë dhënë edhe tifo grupet: Dardanët dhe kuq e zinjtë.
Protesta në kryeqytetin e Shqipërisë mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë dhe në Hagë, ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









