Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg të Francës ka pranuar që ta shqyrtojë ankesën e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i cili është i dënuar nga Gjykata Speciale për krime lufte me 13 vjet burg.

Lajmin e ka bërë të ditur ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të dalë nga Lufta e UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili ka publikuar letrën e GJEDNJ-së, ku njoftohet se është pranuar ankesa e “Ujkut”.

“Gjykata do të trajtojë çështjen sa më shpejt që të jetë e mundur, mbi bazën e informacionit dhe dokumenteve që keni dorëzuar. Procedurat zhvillohen kryesisht me shkrim dhe do t’ju kërkohet të paraqiteni personalisht vetëm nëse Gjykata ju fton për këtë. Do të njoftoheni për çdo vendim të marrë nga Gjykata”, thuhet në letrën e GJEDNJ-së.

Pjetër Shala ishte dënuar nga Gjykata Speciale më 14 korrik 2024, me 18 vjet burgim. Trupi Gjykues e shpalli atë fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Këtë vendim, Shala e apeloi në Gjykatën e Apelit të Speciales, i cili ia uli dënimin në 13 vjet.