Rrustem Mustafa, i njohur si Komandat Remi gjatë luftës, do të jetë kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

Lajmi është bërë i ditur nga ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, përmes një postimi në Facebook të premten.

“Rikthimi i Rrustem Mustafa në listën e PDK-së është një shenjë e rikthimit tonë edhe në Llap, Gollak dhe mbarë Kosovën”, shkroi Behrami në Facebook.

Ai theksoi se Remi e meriton votën e votuesve të PDK-së, “jo vetëm për rolin e tij në luftë, por edhe për qasjen përbashkuese në liri”.

“Por, mbi të gjitha, e meriton votën tone për qëndrimin dinjitoz dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së!”, potencoi ai.

Mustafa ka qenë një nga Komandantët më të rëndësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte Komandat i Zonës Operative të Llapit.

Sa i përket angazhimit politik, Remi ka qenë deputet nga radhët e PDK-së gjatë viteve 2007-2010.