Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka paralajmëruar se me situatën politike të krijuar së fundmi, mbi 80 mijë zyrtarë publikë mund të mbesin pa paga nëse nuk miratohet buxheti i Republikës së Kosovës. Në një paraqitje para mediave pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Basha thotë se në situatë edhe më të vështirë janë punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës.

“Mu më vjen keq për shkak se siç e dini janë dëm i buxhetit të tri komunave. Po është dëm edhe i RTK-së e për tepër janë mbi 700 punonjës në RTK që nuk do të marrin paga për pasojë”, tha Basha.

Ndonëse përmendi dëmet që po afrohen si rrjedhojë e bllokadës politike, Basha fajin e lë tek të gjitha partitë, pavarësisht faktin se është subjekti i tij ai që nuk arriti t’i bëjë numrat për formimin e qeverisë së re.

“Unë mendoj se sikur të kish qenë një vullnet i mirë dhe një bashkëpunim mes subjekteve politike, mendoj se do të t’ia kishim dalë që nesër t’ishin ekzekutu këto, por fatkeqësisht kjo s’ka ndodhur edhe gjindemi para një situate tani ku RTK-ja u mbet pa buxhet të ri, komunat gjithashtu do të kenë probleme financiare dhe për më tepër buxheti i Republikës gjithashtu nuk është procedu dhe siç e dini me zgjedhjet që na presin ose me situatat që nuk parashikohen mund të mbesin edhe 80 mijë zyrtarë publikë pa paga”, shtoi.