Ish- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk ka kërkuar që të përfshihen katër emra në top dhjetëshen e Listës së LDK-së, duke lënë të paqartë mënyrën e saj të kandidimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.

E pyetur nga gazetarët të marten, nëse do të garojë për presidente apo për deputete, Osmani ka shmangur një përgjigje konkrete, duke theksuar se vendimet do të bëhen publike në momentin e duhur.

“Nuk është mirë me spekulu. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se çdo njoftim lidhur me angazhimin e saj politik do të bëhet në kohën e duhur.

“Kurdo që kemi diçka për t’ju thënë do t’ju themi.”

Osmani theksoi se mbështetjen kryesore e sheh tek qytetarët, duke nënvizuar se angazhimi i saj politik gjithmonë ka qenë i lidhur me ta dhe do të vazhdojë në të njëjtën frymë.

“Do të jem para qytetarëve, deri sot në të gjithë angazhimin tim politik janë ata që ma kanë dhënë forcën dhe edhe tash e tutje do të jetë njësoj.”

Ajo bëri të ditur gjithashtu se do të vazhdojë aktivitetet në terren, duke përmendur edhe daljet e përbashkëta me Farije Hoti.

“Me Farije Hotin bashkë te qytetarët.”

Sa i përket kundërshtimeve nga disa ish-deputetë të LDK-së për rikthimin e saj në skenën partiake, Osmani u shpreh se fokusi i saj mbetet tek qytetarët dhe mbështetja që merr prej tyre.