Verdikti për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar në Hagë mund të shtyhet sërish. Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, ka bërë me dije se “gjyqtarët do të nxjerrin një urdhër përkatës” nëse shtyrja e sërishme është e nevojshme.

“Dua ta bëj të qartë se 20 korriku nuk është data e shpalljes së vetë aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur deri kur duhet të nxirret aktgjykimi i trupit gjykues. Paneli theksoi se, nëse një shtyrje tjetër do të jetë absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër përkatës për këtë çështje në kohën e duhur”, tha zëdhënësja Griep.

Sipas afateve fillestare, vendimi i Trupit Gjykues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin do të duhej të shpallej më 19 maj.

Megjithatë, Trupi Gjykues ka kërkuar 60 ditë kohë shtesë, duke shtyrë kështu afatin deri më 20 korrik të vitit 2026.