Në reagimin e parë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se LDK-ja është më shumë se një episod politik, andaj ka konsideruar se duhet reflektim i thellë për t’u rikthyer më e fortë. Ajo theksoi se qytetarët ndëshkuan pushtetin e Vetëvendosjes, por beson se edhe ish-opozitës i thanë se duhet më shumë punë.
Këto komente, Bajrami i bëri përmes një postimi në Facebook, pasi partia ku ajo bën pjesë, LDK-ja, u rendit e treta me 17.60 për qind të votave.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë”, shkroi Bajrami.
Derisa falënderoi qytetarët që e votuan LDK-në, ajo theksoi se mosdalja në votime “është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh”. “E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare!”.
“Abstenimi i tyre është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie se pse erdhëm në situatën ku mbajmë zgjedhje për të shkuar përsëri në zgjedhje”, shtoi ajo.
Bajrami nuk ka asnjë dyshim se shumë qytetarë “ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori, përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit”.
Njëkohësisht, ajo vlerëson se “edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje”.
“Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet”.
Përfundimisht, vlerëson se është koha “të mendojmë përtej karrigeve”.
“Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur”, beson ajo.









