Nvidia tha të dielën se kishte nisur një hetim ndaj Jensen Huang, shefit të saj ekzekutiv dhe bashkëthemeluesit, pasi ai i pranoi bordit të kompanisë se kishte pasur një marrëdhënie intime me një biznesmene, për të cilën shërbimi sekret amerikan përcaktoi se ishte një spiune kineze.

Marrëdhënia e Huang me gruan, e cila njihet me emrin Alice Huang, u kthye në një shqetësim për qeverinë e SHBA-së pasi përgjimet zbuluan se ajo po i kalonte informacione drejtpërdrejt Pekinit.

Zbulimi ngriti shqetësime, pasi Huang është një nga figurat më të fuqishme në revolucionin e Inteligjencës Artificiale, si dhe një aleat me ndikim i Presidentit Trump.

Në një mesazh drejtuar kompanisë, Huang kërkoi falje.

“I kam qenë jobesnik gruas sime,” tha ai. “Veprimet e mia e lënduan atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë arsyetim për atë që bëra. Më vjen shumë keq”.

Bordi i Nvidia-s tha se nuk kishte “asnjë arsye për të besuar se siguria kombëtare apo sekretet e Nvidia-s janë komprometuar”,  por se “hetimi i bordit do të ekzaminojë të gjitha informacionet e disponueshme”.

Bordi tha se Huang “e mbështet plotësisht rishikimin dhe është zotuar të bashkëpunojë me të”.

Anëtarët e pavarur të bordit do të zgjedhin një këshilltar të jashtëm ligjor për të kryer hetimin. John Rizzo, një zëdhënës i kompanisë, tha se Huang nuk do të jetë pjesë e procesit të përzgjedhjes, shkruan New York Times.

Huang, 63 vjeç, do të vazhdojë ta drejtojë kompaninë gjatë hetimit, tha bordi.

Si bashkëthemelues, ai ka ngritur një strukturë unike në Nvidia ku dikton të gjitha aspektet e biznesit të saj, ndërsa mbikëqyr rreth 60 persona që i raportojnë drejtpërdrejt atij.

“Lajmi i sotëm nuk do ta ngadalësojë Nvidia-n,” tha z. Rizzo. “Jensen është i përkushtuar të vazhdojë ta drejtojë Nvidia-n si C.E.O. pa ndërprerje”.

Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët të dielën mbrëma, tek po përgatitej të largohej nga Florida, Donald Trump doli në mbrojtje të Huang.

Presidenti tha se ai “patjetër që do ta merrte atë” me vete në udhëtimin e tij të ardhshëm në Kinë. “Nuk kam dëgjuar se ai ka bërë diçka të gabuar”, tha Trump.

“Ai pati marrëdhënie me dikë, por ju e dini, të gjithë të tjerët bëjnë të njëjtën gjë”.

Trump tha se nuk kishte folur me Huang për këtë situatë.

“Thjesht e di që ai është një njeri i mirë, por kurrë nuk e di se çfarë po ndodh,” tha Trump.

Ai shtoi se nuk pendohej për mungesën e veprimit nga ana e tij kur u informua rreth një vit më parë se komuniteti i zbulimit sekret të SHBA-së po e përgjonte elektronikisht Huang.

“Mendoj se ai është një burrë i nderuar. Mendoj se ai ndoshta ka një arsyetim për këtë. Duhet ta dëgjoni atë. Jo, nuk mund t’u bësh këtë njerëzve,” tha Trump.

“Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme për vendin tonë.”

Kur u pyet nëse Huang duhet të vazhdojë të jetë shef ekzekutiv i Nvidia-s, Trump tha:

“Mendoj se po. Po, sigurisht”.

Vëmendja e publikut ndaj lidhjeve të Huang me Alice Huang nisi pasi The New York Times raportoi për herë të parë muajin e kaluar se agjencitë amerikane të inteligjencës kishin zbuluar se Huang kishte krijuar një marrëdhënie të afërt me një shtetase kineze dhe blerëse çipash, për të cilën zyrtarët e SHBA-së dolën në përfundimin se po mblidhte informacione sekrete për Pekinin.

Blerësja e çipave ishte znj. Huang ose Huang Le, biografia e së cilës thoshte se ajo kishte punuar në Kinë si gazetare televizioni përpara se të bëhej një ekzekutive e lartë në një kompani me qendër në Singapor që merret me qendra të dhënash, e cila ishte kthyer në një nga klientët më të mëdhenj të Nvidia-s në Azinë Juglindore. Ajo kishte blerë më shumë se 4.8 miliardë dollarë çipa që nga qershori i vitit 2024.

Nvidia ka vazhduar të bëjë biznes me kompaninë e zonjës Huang, Megaspeed, madje edhe pasi The Times raportoi vitin e kaluar se Departamenti i Tregtisë po hetonte se sa po e ndihmonte kjo kompani Kinën të kontrabandonte çipa të kufizuar të Inteligjencës Artificiale. (Z. Huang dhe znj. Huang nuk kanë lidhje familjare.)

Nvidia dhe zoti Huang fillimisht deklaruan se nuk kishte asgjë problematike apo të pazakontë në marrëdhënien e tij me Alice Huang.

Në një intervistë me Bloomberg News muajin e kaluar, ai tha se ndërveprimet e tij me znj. Huang kishin qenë “të lidhura me Megaspeed, dhe gjithçka ishte plotësisht normale dhe jo e pazakontë.”

Marrëdhënia dhe lidhja jashtëmartesore janë një hap i gabuar i rrallë për z. Huang.

Gjatë tre viteve të fundit, ai dukej se nuk bënte asnjë gabim.

Kompania e tij e prodhimit të çipave, e cila krijon teknologjinë për ndërtimin e inteligjencës artificiale, u rrit duke u bërë një nga kompanitë më të vlefshme në botë dhe motori i hovshëm i qendrave të të dhënave që po fuqizon ekonominë e SHBA-së.

Trump u bë një aleat i tij dhe e ftoi atë në bordin e Air Force One. Njerëzit filluan ta ndiqnin nëpër ngjarje publike për t’i marrë autografë. Dhe xhaketat e tij të zeza prej lëkure, të cilat ai i vesh përditë, u kthyen në objekte koleksioni.

Me rritjen e hovshme të biznesit të tij, Huang e vendosi familjen e tij në qendër të tij. Spencer, djali i tij, është drejtor i menaxhimit të produkteve dhe luan një rol udhëheqës në përpjekjet e kompanisë për robotikën.

Madison, vajza e tij, është drejtoreshë e lartë e marketingut të produkteve, po ashtu punon në robotikë si dhe në komunikimin dhe përpjekjet e marketingut të kompanisë.

Dhëndri i tij, Nico Caprez, është pjesë e ekipit të zhvillimit të biznesit të kompanisë.

Huang i ka dhënë meritën bashkëshortes së tij, Lori, me të cilën u martua në vitin 1985, për faktin se ia bëri të mundur ndërtimin e kompanisë. Ata u takuan kur ai ishte një student inxhinierie në moshë adoleshte në Universitetin Shtetëror të Oregonit. Ajo ishte një nga tri femrat në një laborator inxhinierie prej 250 personash. Huang, i cili kishte kapërcyer dy vite të shkollës së mesme, u organizua të jetë në grupin e saj të laboratorit dhe u përpoq ta impresiononte atë me intelektin e tij.

“E di se dukem si fëmijë dhe për këtë arsye përshtypja e saj e parë për mua është se jam mjaft i mençur”, tha z. Huang gjatë një diskutimi në vitin 2024 rreth karrierës së tij në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Hong Kongut. “U ula pranë saj dhe i thashë: ‘A dëshiron t’i shohësh detyrat e mia të shtëpisë? Më pas i bëra një premtim: ‘Nëse i bën detyrat e shtëpisë me mua çdo të dielë, të premioj se do të marrësh vetëm nota 10 (A)”.

Huang gjithashtu i premtoi asaj se deri në moshën 30-vjeçare ai do të jetë shefi ekzekutiv i një kompanie. Ai e përmbushi atë premtim kur bashkëthemeloi Nvidia-n në vitin 1993, pak pasi mbushi 30 vjeç.

“Lori u kujdes për gjithçka dhe nuk më kujtohet të jetë ankuar qoftë edhe një herë”, tha z. Huang në podcast-in “How I Built This”. “Kjo është dhurata që ajo më dha mua.”

Qeveria e SHBA-së, e cila kishte qenë duke hetuar Megaspeed-in për mundësinë e kalimit të çipave të avancuar AI të Nvidia-s drejt Kinës, nisi përgjimin e zonjës Huang më shumë se një vit më parë. Gjatë këtij përgjimi, ata zbuluan se ajo ishte në komunikim me një shtetas amerikan që u identifikua si z. Huang.

Zyrtarët që kishin parë ato informacione sekrete thanë se ishin të sigurt që marrëdhënia ishte romantike.

Kjo rrëzoi deklaratat e mëparshme mashtruese të Nvidia-s dhënë për The Times dhe të tjerët gjatë vitit të kaluar lidhur me natyrën e marrëdhënies së Jensen Huang me Alice Huang.

Këtë pranverë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio mbikëqyri hartimin e një meomrandumi tepër sekret që detajonte të dhënat e inteligjencës që tregonin se Alice Huang ishte rekrutuar nga Ministria e Sigurimit të Shtetit Kinez për të shënjestruar zotin Huang.

Ai memorandum u qarkullua jo shumë kohë para udhëtimit të presidentit në Kinë në fillim të këtij viti.

Teksa u bënë publike lajmet mbi përgjimin amerikan ndaj znj. Huang, hapësira e z. Huang për manovrim pothuajse u zhduk krejtësisht.

Kongresi kërkonte që ai të dëshmonte, ndoshta nën betim, dhe raportimet mbi përgjimet ngritën mundësinë që inteligjenca amerikane e dinte natyrën e marrëdhënies së tij me znj. Huang.

Kjo ushtroi presion edhe mbi bordin e Nvidia-s.

Në një postim në rrjetet sociale muajin e kaluar, Senatoria Elizabeth Warren, demokratja nga Massachusetts e cila është anëtarja me rangun më të lartë në Komitetin e Bankave të Senatit (që mbikëqyr shitjen e çipave jashtë vendit), tha se z. Huang dhe bordi i kompanisë “i detyrohen Kongresit përgjigje” rreth marrëdhënies së tij me spiunen.

Megaspeed u krijua në vitin 2023, kur një kompani kineze e lojërave elektronike online shkëputi filialin e saj në Singapor. Pak kohë më parë, qeveria e SHBA-së kishte nxjerrë ndalimin e saj të parë të gjerë për shitjen e çipave të Inteligjencës Artificiale në Kinë.

Zonja Huang figuronte si drejtoreshë menaxhuese e Megaspeed kur ajo u krijua, dhe më vonë e përshkroi veten si shefe ekzekutive të saj.

Informacioni mbi të kaluarën e znj. Huang mungon kryesisht në internetin kinez, por sipas një biografie online, ajo ka punuar në disa nga bankat kryesore kineze.

Më pas ajo i u bashkua një fondi me bazë në Shanghai që ka lidhje me investitorë të pasur dhe kompani teknologjike me projekte të qendrave të të dhënave në Kinë, sipas një rishikimi të të dhënave korporative dhe tregtare të mbledhura nga platformat WireScreen dhe Sayari, si dhe një analize nga Qendra për Studime të Avancuara të Mbrojtjes, një organizatë jofitimprurëse në Uashington.

Rrejti i atyre kompanive ka ndihmuar në ndërtimin e një qendre masive të të dhënave jashtë Shangait që i shërben kompanisë kineze Tencent.

Gjithashtu ka lidhje financiare me strukturat ushtarake kineze, përmes një investimi në një filial të sigurisë kibernetike të China Electronics Technology Group, një nga prodhuesit më të mëdhenj të teknologjisë ushtarake në vend.

Ndërsa blerjet e çipave nga Megaspeed vazhdonin të rriteshin, Huang dhe Alice Huang filluan të kalonin kohë së bashku.

Në qershor 2024, ai iu bashkua asaj në një bar në Taipei pas një panairi lokal teknologjie. Ata pinë uiski së bashku me ekzekutivë të tjerë të AI.

Një vit më pas, ata ngrënë darkë në një restorant në Taipei me ekzekutivë të tjerë. Mediat tajvaneze e kapën atë duke i dhënë atij një puthje në faqe dhe duke qëndruar prapa tij ndërsa ai u fliste gazetarëve.

Marrëdhënia e tyre u kthye në një preokupim në Uashington, ku zyrtarët ishin tashmë të alarmuar nga vëllimi i madh i blerjeve të Megaspeed.

“Kjo është një lëvizje klasike nga librezi i lojës së Partisë Komuniste Kineze (PKK) – dhe një tjetër shembull pse asaj nuk mund t’i besohet kurrë,” shkroi në rrjetet sociale përfaqësuesi Michael McCaul, një republikan nga Teksasi i cili është nënkryetar i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare.

“SHBA-ja duhet ta pezullojë menjëherë dërgimin e çipave të avancuar të AI në Kinë derisa të mund t’i shkojmë deri në fund këtij incidenti dhe të sigurohemi që siguria jonë kombëtare nuk po minohet”.