Deputeti Eman Rrahmani e ka ballafaquar kryeministrin Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës lidhur me kundërshtimet për Kodin Civil, veçanërisht për regjistrimin e martesave mes personave të së njëjtës gjini.

Rrahmani ka kërkuar nga Kurti të deklarohet për çështjet që, sipas tij, janë kundërshtuar vazhdimisht.

Ai ka përmendur edhe ligjin për fertilizimin e asistuar, mundësinë që një grua të bëhet nënë pa burrë dhe ndryshimin e gjinisë përmes Ligjit për Gjendjen Civile.

“Te Kodi Civil dihet çka është kundërshtuar, regjistrimi i martesave burrë me burrë. Te çështja e ligjit për fertilizim, dihet çka është kundërshtuar dhe pse nuk ka kaluar. Lejimi që gruaja të bëhet nënë pa burrë, si dhe te Ligji për Gjendjen Civile, ndërrimi i gjinisë”, ka thënë Rrahmani.

Ai tha se çështja e ndryshimit të gjinisë është përfshirë në një ligj të miratuar në natën e Vitit të Ri, duke i kërkuar Kurtit të japë sqarime për këto tema, në mënyrë që, sipas tij, qytetarët dhe deputetët të kuptojnë qëndrimin e kryeministrit.

Në përgjigjie, Kryeministri, Albin Kurti ka ironizuar duke ju drejtuar Rrahmanit se fokusimi në vetëm 2-3 nene të ligjit mund të i bëhët obsesion.

Në përgjigjen e tij, Kurti e ka vënë theksin te vëllimi i Kodit Civil, duke thënë se ai përmban 997 faqe dhe 1 mijë e 630 nene.

“Kodi Civil i ka 997 faqe, i ka 1 mijë e 630 nene. Ka mundësi që ndihmon nëse i lexon dhe i shqyrton edhe këto nenet tjera. Është jashtëzakonisht voluminoz. Përqendrimi në vetëm një a dy nene është rrezik, ju bëhet obsesion. Nuk ndihmon ajo”, ka deklaruar Kurti.