Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në balotazhin e 9 nëntorit në Fushë Kosovë.

Lajmi u bë i ditur nga kandidati i VV-së për Kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i cili publikoi një fotografi në Facebook me kandidaten e AAK-së për Kryetare të kësaj komune, Vildane Latifi.

“Vazhdojmë rrugëtimin bashkë drejt ndryshimit! Na priftë e mbara”, ka shkruar Prebreza.

Në balotazh, Prebreza do të përballet me Besnik Osmanin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, Prebreza mori mbi 45 për qind, Osmani mbi 36 për qind. Ndërsa, Latifi mori pak më shumë se 1 për qind.

Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së, Rrahim Tërnava, që doli i treti në raundin e parë me mbi 16 për qind, ende nuk dihet se kë do ta mbështesë në balotazh.