Partia Demokratike e Kosovës do ta përkrahë Lidhjen Demokratike e Kosovës në balotazhin e 9 nëntorit në Gjilan, kundër Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti.

Rashiti ka thënë se pas konsultimeve të gjera me strukturat e PDK-së dhe “në interes të qytetarëve të Gjilanit, ka vendosur të mbështesë kandidatin e LDK-së, Arbër Ismajli, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale”.

“Ky vendim është marrë duke u udhëhequr nga interesi i përgjithshëm i qytetarëve tanë dhe nga nevoja për një ndryshim real në qeverisjen lokale, që garanton zhvillim, transparencë dhe bashkëpunim në dobi të qytetarëve e jo të interesave të ngushta politike”, shkroi ai.

Rashiti ka theksuar se bashkimi i forcave “pozitive është rruga e duhur për të garantuar katër vite të qëndrueshme, me vizion dhe përgjegjësi për qytetin tonë”.

“Ne jemi të bindur se Arbër Ismajli do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Gjilanit, me një qeverisje që do të punojë për zhvillim ekonomik, investime në infrastrukturë, arsim cilësor dhe mirëqenie sociale”.

Ai ka ftuar të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët e Gjilanit që ndajnë vlerat e përbashkëta, që të dalin dhe ta votojnë Ismajlin për Kryetar. “Sepse Gjilani meriton ma mirë dhe bashkë këtë mund ta bëjmë realitet”.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, i pari doli Alban Hyseni i VV-së me 49.80 për qind të votave, i ndjekur nga Ismajli i LDK-së me 34.29 për qind të votave. I treti u rendit Riad Rashiti i PDK-së me 12.18 për qind të votave.