Lidhja Demokratike e Kosovës e ka siguruar mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës për balotazhin e 9 shkurtit në Fushë Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga kandidati i LDK-së për Kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, i cili në balotazh do të përballet me Valon Prebrezën e Vetëvendosjes.
“Është arritur koalicioni i madh për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, që i thotë PO zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Në këtë frymë bashkëpunimi, Osmani ka thënë se LDK dhe PDK “do të ecin bashkë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve, për Fushë-Kosovën tonë”.
“Gjatë këtyre ditëve, dy degët tona kanë punuar së bashku në hartimin e planit qeverisës dhe, në koordinim të plotë edhe me qendrën, kemi nënshkruar marrëveshjen për qeverisjen gjithëpërfshirëse për mandatin e ardhshëm qeverisës”, potencoi ai.
Kjo marrëveshje, sipas Osmanit, “është shprehje e përgjegjësisë politike dhe e vullnetit të përbashkët për ta çuar Fushë Kosovën përpara, me një qeverisje moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve”.
Para disa ditësh, Osmani nënshkroi edhe një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate. Ndërsa oponenti i tij, Prebreza deri më tani ka nënshkruar marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, Prebreza mori mbi 45 për qind, Osmani mbi 36 për qind. Ndërsa kandidati i PDK-së, Rrahim Tërnava, që doli i treti dhe tani e mbështet LDK-në, mori mbi 16 për qind.









