Partia e Drejtësisë ka zyrtarizuar marrëveshjen për të garuar bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.
Marrëveshja është nënshkruar nga Kryetari i PD-së, Ferid Agani, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Përmes një komunikate për media, nga PD kanë vlerësuar se ky bashkëpunim “përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit politik, përgjegjësisë shtetërore dhe rikthimit të besimit qytetar në institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Ky nuk është vetëm një bashkim elektoral, por një angazhim për krijimin e një fryme të re bashkëpunimi politik, dialogu institucional dhe mobilizimi të potencialeve më të mira profesionale e kombëtare në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit”, kanë theksuar ndër të tjera nga PD.
Partia e Drejtësisë edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit kishte garuar brenda listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i saj, Ferid Agani, ndonëse kishte qenë në top 10-she të kandidatëve për deputetë, përkatësisht me numër 9 (nëntë), nuk kishte arritur që ta sigurojë mandatin.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, listës së LDK-së do t’i prijë Vjosa Osmani, si kandidate për Presidente, ndërsa Lumir Abdixhiku, do të jetë me numër dy, si kandidat për Kryeministër.









