“Qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, prandaj ata janë përgjegjësi e përbashkët. Nevojat e tyre nuk janë çështje interpretimi politik, por detyrim për zgjidhje konkrete të menjëhershme”, ka thënë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Këto komente, Rama i bëri përmes një postimi në Facebook, pas kritikave që iu bën në lidhje me zyrtarizmin e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës në kryeqytet.

“Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një POPULL. Një SHTET. Prandaj, duhet vizion i përbashkët, stabilitet dhe veprime të përgjegjshëm institucionale nga secili prej nesh”, shkroi Rama në Facebook.

Kryetari i Kryeqytetit theksoi se qeverisja është, në thelb, “përgjegjësi ndaj qytetarit”.

“Prandaj, obligimi ynë moral dhe politik është i qartë: të ofrojmë qeverisje që u shërben qytetarëve me përgjegjësi, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë. Politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar të mirën publike: për qytetarin”, pohoi ai.

Aktualisht, sipas tij, Prishtina ndodhet para një momenti të rëndësishëm historik dhe zhvillimor. “Me projektet madhore që na presin, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, ne nuk po ndërtojmë vetëm infrastrukturë moderne, por po ndërtojmë identitetin dhe perspektivën e një Kryeqyteti evropian, funksional dhe konkurrues”.

Në këtë drejtim, ai vlerëson se këto procese “kërkojnë stabilitet institucional, bashkëpunim dhe vendimmarrje të përgjegjshme”. “Në një rend demokratik, dallimet janë të natyrshme dhe legjitime. Por pjekuria politike matet me aftësinë për t’i tejkaluar ato në funksion të interesit të përbashkët”.

“Duke vendosur qytetarin në qendër dhe duke qenë të vetëdijshëm se pushteti është shërbim, e jo instrument bllokimi, kemi finalizuar bashkëqeverisjen në Kryeqytet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe së fundmi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK)”.

Në këtë kuadër, Rama potencoi se emërimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), “janë bërë konform propozimeve të ardhura nga ‘Kolegjiumi’ i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm i themeluar nga vetë LDK, që garanton përfaqësim, balancë dhe legjitimitet të brendshëm”.

Paralelisht, ai tregoi se janë emëruar edhe përfaqësuesit e partnerëve të tij nga AAK, Nisma, Lidhja për Prishtinën dhe PDK, “duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe funksionale”.

“Kryeqyteti është shembull i bashkëpunimit dhe zhvillimit dhe ashtu do të mbetet!”.

Rama bëri të ditur edhe se do ta përkrah LDK-në në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

“Ashtu siç e kam përkrahur pakusht LDK-në në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës!”, shtoi.

Ai konsideron se Kosova “nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim”. “Sepse lidershipi i vërtetë nuk matet me aftësinë për të krijuar tension, por me aftësinë për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar stabilitet institucional, dhe për ta çuar vendin përpara”.

Koalicioni me PDK-në në Prishtinë, Rama e bëri edhe pse nga LDK-ja, partia nën siglën e të cilit garoi dhe fitoi në zgjedhjet lokale të nëntorit 2025, thanë që nuk kanë asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje në kryeqytet me partinë që drejtohet nga Bedri Hamza.