Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka konfirmuar se janë në bisedime me Nismën Socialdemokrate për të bërë koalicion parazgjedhor për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.
Ne një konferencë për media nga selia e LDK-së të mërkurën, Zemaj tha se ka edhe bisedime teknike mes LDK-së dhe Nismës.
“Unë mund të them se ka pasur bisedime parimore, nuk them që nuk ka edhe teknike, por janë në përmbajtjen e asaj që ka thënë vetë kryetari i LDK-së, pas takimit të kryesisë”, ka thënë Zemaj.
Para disa orësh, edhe Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, konfirmoi se janë në bisedime me partinë e Lumir Abdixhikut.
Kur u nominua si kandidat i LDK-së për Kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Abdixhiku bëri të ditur se partia që ai drejton do të garojë vetëm në zgjedhje, por që u shpreh i gatshëm që në listë të përfshijë individë e akterë të tjerë, ndër to edhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.
“LDK-ja ka vendosur sot në Kryesi se në këtë garë do të garojë e vetme, pra vetëm si LDK, por që brenda listës së LDK-së do të zhvillojë diskutime me potencialisht individë, akterë, besa edhe parti politike që mund të jenë pjesë e listës së LDK-së”, deklaroi Abdixhiku më 24 nëntor.








