Lidhja Demokratike e Kosovës e ka siguruar mbështetjen e Nismës Socialdemokrate për balotazhin e 9 nëntorit në Fushë Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga kandidati i LDK-së për Kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani.

“Vazhdojmë me NISMËN drejt fitores! Së bashku për qytetarët dhe të ardhmen e komunës sonë”, ka shkruar Osmani në Facebook, ku edhe ka publikuar një fotografi me kryetarin e degës së Nismës në Fushë Kosovë, Driton Ademi.

Në balotazh, Osmani do të përballet me Valon Prebrezën e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili të dielën nënshkroi një koalicion po ashtu me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, Prebreza mori mbi 45 për qind, Osmani mbi 36 për qind. Nisma në Fushë Kosovë nuk ka garuar për Kryetar, por vetëm për Asamblenë Komunale, ku ka marrë rreth 500 vota.

Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së, Rrahim Tërnava, që doli i treti në raundin e parë me mbi 16 për qind, ende nuk dihet se kë do ta mbështesë në balotazh.