Kandidati për Kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiç, nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar”, ka hequr dorë nga kandidatura duke iu bashkuar Listës Serbe, të cilën e ka pasur kundërkandidate.

Lajmi është bërë i ditur nga Lista Serbe – partia që dirigjohet nga Beogradi zyrtar – përmes një njoftimi për media. Nga kjo parti thanë se Spasiç së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e kësaj nisme iu bashkuan Listës Serbe, derisa theksuan se “besojnë pa rezerva në Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç”.

Edhe vetë Spasiç ka thënë se dëshiron që të gjithë kontributin dhe burimet e nismës qytetare t’i përqendrojë te Lista Serbe.

“Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiç, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.

Kllokoti është komuna e vetme me shumicë serbe në Kosovë që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, më 12 tetor, shkoi në balotazh. Nëntë të tjerat u fituan nga Lista Serbe pa balotazh.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kllokot, Bozidar Dejanoviç i Listës Serbe doli i pari me 41.38 për qind të votave, ndërsa i dyti Spasiç me 31.23 për qind.