Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se ngjarja në Skenderaj, ku Kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, u përfshi me një incident me kryetarin e degës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, nuk është rastësi, por, sipas tij, është derivat i “gjuhës së urrejtjes” që e ka “kultivuar” partia në pushtet, Vetëvendosja.

“Ngjarja në Skenderaj nuk është rastësi. Ajo është pasojë direkte e një klime helmuese që është ndërtuar me vite të tëra nga partia në pushtet përmes gjuhës së urrejtjes, linçimeve publike, fyerjeve dhe provokimeve më të ulëta”, shkroi Gruda në Facebook.

Me vite me radhë kjo, potencon ai, “ka qenë politikë partiake e LVV-së, sot, fatkeqësisht, është shndërruar në politikë shtetërore”.

“Kur urrejtja kultivohet çdo ditë, kur kundërshtari trajtohet si armik, kur baltoset çdo vlerë kombëtare, institucionale e njerëzore, atëherë tensioni dhe përplasja bëhen të pashmangshme. Ky është një investim i rrezikshëm kundër Kosovës, kundër demokracisë dhe kundër të ardhmes sonë”, shtoi.

Një Kosovë e përçarë, e tensionuar dhe e mbushur me urrejtje, ai thekson se “është vetëm në interes të Serbisë”.

“Dhuna nuk duhet të ketë vend në politikë, asnjëherë. Por, nuk mund të barazohet një reagim i çastit me një strategji të ndërtuar prej vitesh për të nxitur përçarje, konflikt dhe degradim të jetës publike”, potencoi Gruda.