Pamje sikur në vitet e ’90-ta, kur regjimi serb largonte shqiptarët nga puna.

Kështu e ka përshkruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, aksionin e pushtetit në fabrikën “Vita” në Istog.

“Pamjet e sotme të kujtojnë vitet e ’90-ta, kur regjimi serb i largonte shqiptarët nga vendet e punës. Kjo është e dhimbshme dhe alarmuese”, ka shkruar Rama.

Kryetari i Prishtinës, që ka hyrë tash e sa kohë në një betejë në distancë me krejt Vetëvendosjen, ka thënë se Kosova dhe qytetarët po pësojnë nga qeverisja autoritare e Kurtit.

“Po humbim investime, po humbim vende pune, po humbim dinjitetin ekonomik të vendit. Ndërkohë, kjo qeveri po përpiqet t’i mbajë qytetarët peng të lëmoshave dhe premtimeve elektorale prej 100 eurosh, në vend që t’u krijojë mundësi dhe t’i lejojë të jetojnë me punën e tyre. Kjo është fatkeqësia që po e jeton Kosova si rezultat i një qeverie autokrate, të paaftë dhe papunëtore”, ka deklaruar Rama.

Njeriu që e mposhti dy herë Vetëvendosjen në Prishtinë deklaroi po ashtu se, me qeverisjen aktuale, Kosova po mbetet jashtë investimeve të huaja.

“Qeveria e Albin Kurtit na ka lënë nën masa ndëshkuese dhe larg partnerëve tanë. E kur flasim për pasojat, sot e pagoi fabrika e qumështit Vita. E pësuan punëtorët. E pësuan fermerët. E pësuan pronarët. Nesër kush? Sot po shohim biznese që mbyllen. Po mbesim pa fonde të Bashkimit Evropian, ndërsa amerikanëve, për projektin e gazit, iu përgjigjëm me arrogancë: ‘Ne kemi ide më të mirë’”, deklaroi Rama.