Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i është përgjigjur sulmeve të partisë në pushtet, Vetëvendosje, ndaj bashkëpartiakut të tij, Daut Haradinajt. Gjini, ka thënë se “është ironike kur sheh se si disa parti, që dikur mbanin armatim nëpër zyra e që sot janë shndërruar në organizata të mirëfillta kleptokratike, kanë filluar të shesin moral”.
“Daut Haradinaj nuk ka mbajtur molotov në zyrë, e as nuk e ka gjuajtur kuvendin me zollë. Dauti nuk i ka vjedh milionat me rrymë as me penj të spitaleve, e as me grurë të popullit. As nuk është fshehur, asnjëherë”, shkroi Gjini në profilin e tij në Facebook.
Siç shprehet Gjini “Haradinaj ishte kryengritës i pakompromis kundër Serbisë”, e “të tjerët kanë çuar kokën pas çlirimit kundër vendit të vet”.
Gjatë kësaj të enjteje, Alban Krasniqi, bashkëshorti i Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka eskaluar ndaj Kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe ndaj Daut Haradinaj – këtë të fundit e quajti edhe “mercenar i pasluftës” dhe përmendi edhe pasurim gjoja përmes “haraçit”.
Këto komente, Krasniqi i bëri përmes një postimi në Facebook, pasi që Haradinaj të mërkurën tha se deputetët nuk kanë pasur mundësi të largoheshin nga Kuvendi pa e votuar Ligjin për Gjykatën Speciale në seancën e 6 tetorit.
“Dauti e ka me ligjin për byronë e konfiskimit të pasurisë së fituar me haraq dhe krim ordiner. E krimi nuk vjetërohet e as nuk mbulohet nën kauzën e UÇK. Tipat si ky janë modeli i mercenarizmit të pasluftës”, tha Krasniqi.
Madje, Krasniqi shkoi aq larg saqë theksoi se Haradinaj dhe Lushtaku do të arrestohen, sipas tij, për veprat “kriminale dhe korruptive”.
“Pra, dijeni. Kur Dauti, Samiu etj kanë me puthë tokën e Kosovës nga arrestimi për veprat e tyre kriminale dhe korruptive, të kësaj Kosove që mendojnë që vetëm këta e kanë çliru e ne jemi robër të tyre, atëherë këtij vendi ka me i ardh era SHTET që frymon sipas idealeve të dëshmorëve. E unë për një Kosovë të tillë jetoj, veproj, flijohem”, potencoi ai.









