Ish ushtarja e UÇK-së Shqipe Krasniqi ka deklaruar se pjesëmarrësit nuk janë mbledhur vetëm për të festuar, por për të kujtuar sakrificën e popullit shqiptar gjatë luftës.
“Kam parë familje të poshtëruara, nëna që qanin fshehurazi, studentë të përndjekur vetëm pse ishin shqiptarë. Kam parë gra që i përcillnin bijtë në luftë me zemra të copëtuara, por me kokën lartë. Ato nuk dolën në histori me tituj, por historia nuk do të ekzistonte pa to”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se heshtja është dorëzim, dhe ky popull nuk di të dorëzohet.
“Si shumë vajza dhe gra shqiptare, e mora armën dhe dola në front. Jo pse e doja luftën, por sepse e doja lirinë. Shtëpitë na u dogjën e fshatrat na u zbrazën. Një gjë nuk u dogj e as nuk u shua, dhe ai është shpirti i këtij populli”, ka shtuar Krasniqi.
Ajo ka theksuar se protestat dhe marshimet janë zëri i atyre që nuk jetojnë më, duke nënvizuar rëndësinë e kujtesës dhe drejtësisë për viktimat dhe luftëtarët e Kosovës.
Përderisa pati edhe një mesazh emocional për ish-krerët e UÇK-së.
“President, kur u nise për në Hagë, na the: ‘Kjo nuk është Lamtumirë, por vetëm Mirupafshim.’ Sot, nga zemrat e mijëra qytetarëve, këtu nga ky shesh në rrugët e Prishtinës, ju themi: Mirupafshim së shpejti, liderë dhe ju çlirimtarë”, deklaroi ajo.









