Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, kujton me emocion ditën e arrestimit të babait të tij pesë vite më parë, si një nga momentet më të rënda për familjen, teksa shprehet i bindur që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte drejtë.
“Më kujtohet si sot, para pesë vjetësh, momenti kur ndodhi gjithçka. Ishte ora pesë e gjysmë e mëngjesit kur shtëpia u rrethua nga forcat e EULEX-it. Mënyra e bastisjes dhe arrestimit ka qenë shumë e rëndë dhe traumatizuese për ne si familje. Ne e dimë që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë për mbrojtjen e civilëve dhe për lirinë e shtetit tonë”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, Jakup Krasniqi vazhdon të jetë i fortë emocionalisht dhe e përballon situatën me qetësi dhe sportivitet.
“Babai është shumë mirë, i fortë dhe e ka marrë tash gjithçka me sportivitet. Ka mundësi të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme ditore dhe kalon kohë me të tjerët përreth tetë orë në ditë. Unë besoj se ky proces do të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjitha dëshmitë kanë treguar qartë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme për lirinë e popullit tonë”, shtoi.








