Ministri për bashkim i Koresë së Jugut, Chung Dong-young, i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump që të takojë liderin e Koresë së Veriut gjatë vizitës së tij në Azi, duke u bërë thirrje të dy liderëve që të shfrytëzojnë mundësinë e rrallë për paqe, ka raportuar agjencia e lajmeve Yonhap.

Dong-young, që shërben si hartues i politikave për marrëdhënie mes Koreve të ndara, ka thënë se udhëtimi i Trump në Korenë e Jugut është një “mundësi nga qiejt” që mund të forcojë pozicionin e Koresë së Veriut në botë dhe ekonominë e saj.

“Liderët e Koresë së Veriut dhe SHBA-së duhet të mos humbin shansin”, citohet të ketë thënë Dong-young nga agjencia Yonhap.

Trump u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tre herë gjatë mandatit të tij të mëparshëm si president, por nuk arriti të arrijë një marrëveshje për përfundimin e programit bërthamor të Phenianit për shkak të mosmarrëveshjeve mbi heqjen e sanksioneve dhe mënyrën e çmontimit të objekteve bërthamore të Veriut.