Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, pas Këshillit Prokurorial të Kosovës, po kërkon që tash edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’u bindet kërkesave të saj.
Kësaj radhe bëhet fjalë për gjyqtarët serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje në vitin 2022 dhe tash po kërkojnë të kthehen përsëri në sistemin e drejtësisë.
Ajo tha se KGJK-ja duhet të ndjekë praktikën e KPK-së, që t’i dorëzohen asaj kërkesat për lirim nga detyra të gjyqtarëve, sepse ndryshe po i pamundësohet ushtrimi i detyrave të saj si Presidente.
“Mua më pamundësohet ushtrimi i përgjegjësive, sepse për momentin Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk i dorëzon dorëheqjet, pra kërkesën për lirim nga detyra të gjyqtarëve që kanë dhënë dorëheqje. Në linjë me përgjegjësitë kushtetuese, unë sot thërras Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, tha Haxhiu.
Ajo kritikoi edhe partnerët ndërkombëtarë, respektivisht Bashkimin Evropian, lidhur me çështjen e tërheqjes së dorëheqjeve të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve serbë.
“Imagjinoni, të nderuar gazetarë, në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që i binden urdhrave të një shteti tjetër, në këtë rast të Serbisë. Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë që sot bëjnë presion mbi këta këshilla… kush nga ata do të lejonte që në shtetet e tyre të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër? Dhe kush nga këta partnerë ndërkombëtarë që neve na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe për pavarësi të sistemit të drejtësisë… kush nga këta do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorët që janë anëtarë të këshillave të vendosnin diçka që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi?”
Në ora 13:00, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thirrur mbledhje për t’u diskutuar pikërisht kjo çështje: kthimi apo jo i gjyqtarëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.









