Në intervistën për emisionin “Opinion”, ish-presidenti Hashim Thaçi ka sjellë kujtime nga periudha studentore dhe zhvillimet e asaj kohe, duke veçuar edhe një takim me Adem Jasharin në Prishtinë në qershor të vitit 1991.

“Ademi, me pamje magjepsëse, entuziaste dhe tunduese , njeri unik. Qëndruam aty një kohë, ulur në shkallë; ishte kohë e bukur me diell. Bëmë edhe një fotografi; sapo kisha mbushur 23 vite. Kjo mbresë paraqet një nga evenimentet më të çmuara të jetës sime”, ka rrëfyer Thaçi.

Ai ka treguar se takimi u zhvillua në një periudhë kur situata politike në ish-Jugosllavi po tensionohej, ndërsa studentët dhe profesorët përballeshin me pasiguri për të ardhmen.

“Jugosllavia kishte filluar të shkatërrohej. Qeshëm jo pak duke lexuar parullën ‘PAS TITO-s – TITO’, e cila ende mbahej e vendosur në ballë të njërës prej objekteve në qendër të kryeqytetit”, ka thënë ai.

Thaçi ka përshkruar edhe diskutimet me Jasharin, duke theksuar shqetësimet e kohës për universitetin dhe reagimin ndaj presionit serb.

“Ademi interesohej për jetën e studentëve, pyeste: çka nëse Serbia do të mbyllë universitetin? Si do të reagojnë profesorët dhe studentët? Vazhdimisht insistonte se këto punë nuk ndreqen veç me llafe…”, ka shtuar ai.

Në intervistë, Thaçi është ndalur edhe te jeta e tij studentore në Prishtinë, duke kujtuar bibliotekën, konviktet dhe hapësirat publike të asaj kohe.

“Studentët që banonim në konvikte, kryesisht mësonim në Bibliotekën Kombëtare dhe në Pallatin e Rinisë, derisa autoritetet serbe na përzunë edhe nga aty. Këtë kohë e prisja me padurim”, ka thënë ai.

Ai ka përshkruar gjithashtu edhe periudhën e verës në vendlindje, duke kujtuar punët e fshatit dhe jetën e përditshme.

“Si i ri kam kryer çdo punë fshati… Kam ndihmuar prindërit në vjeljen dhe mbjelljen e kulturave bujqësore”, ka rrëfyer Thaçi.