Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo do ta përfaqësojë Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në seancën që do të mbahet sot, duke filluar nga ora 16:00, do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, për zhvillimet në Kosovë.
Në njoftimin e MPJ-së theksohet se Gërvalla do të raportojë “për punën e mirë të institucioneve të Kosovës, për rezultatet, sfidat dhe prioritetet e reformave gjithëpërfshirëse, sidomos në sundimin e ligjit, performancën ekonomike dhe fuqizimin institucional”.









