Vëmendja Amerikane nuk është e pafundme, i ka thënë ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, derisa ka dhënë një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, kur është pyetur për çështjen e gazit amerikan dhe kërkesën e Administratës së Donald Trump-it për Kosovën, që të përfshihet ne këtë proces.

“Këshilla ime për Kurtin është: përfundoje procesin tënd të të menduarit dhe kthehu me ide, sepse vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafundme dhe ata po presin një përgjigje pozitive”, deklaroi Hovenier.

Ish-ambasadori, duke marrë në konsideratë natyrën e Administratës së Trumpit, ka këshilluar Kosovën që t’u bashkohet projekteve amerikane për gazin e lëngshëm.

“[Administrata e Trump] do të donin të shihnin një përgjigje ndaj dëshirës së tyre që Kosova të përfshihet në infrastrukturën më të gjerë rajonale të energjisë, e në veçanti në projektet që lidhen me LNG-në.”

Ish fytyra kryesore amerikane në Prishtinë thotë se Kosova nuk ka marrëdhënie shumë të mira më Washingtonin dhe se treguesi më i qartë për këtë është fakti se Kosova nuk ka Dialog Strategjik me SHBA-të, teksa Serbia pritet që një të tillë ta nisë më 17 korrik në Ëashington.

“Nuk është sekret se marrëdhënia me administratën [e presidentit amerikan, Donald] Trump nuk është në nivelin e dëshiruar”, ka thënë ish ambasadori Hovenier.  

“Treguesi më i qartë për këtë është fakti se Dialogu Strategjik me Serbinë do të nisë më 17 korrik në Uashington dhe ministri i Jashtëm [i Serbisë, Marko] Gjuriq do të jetë atje për t’u takuar me zëvendëssekretarin e Shtetit, [Christopher] Landau. Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës…”

Fajin për pezullimin e Dialogut Strategjik me SHBA-të, Hovenier ia atribuon Kurtit dhe Qeverisë së tij për veprimet e të cilit ai thotë se nuk u kanë pëlqyer amerikanëve.

“Mendoj se nuk është sekret që disa njerëz brenda administratës Trump janë ndier të sfiduar nga disa prej zgjedhjeve që ka bërë herë pas here kryeministri në detyrë, Kurti. Kjo është arsyeja pse Dialogu Strategjik u pezullua”, ka deklaruar diplomati amerikan.