E ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Anu Prattipati, ia ka rikujtuar Kosovës se “siguria energjetike është siguri kombëtare”. Ky nënvizim i ambasadës vjen në një periudhë kur në vend ka probleme të theksuara me rënien e blloqeve të Termocentraleve.
Sipas Prattipatit, gazi natyror i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’i ndihmojë Kosovës “në avancimin e zgjidhjeve të sigurta dhe të diversifikuara energjetike”.
“E ngarkuara me punë (Chargé d’Affaires) e SHBA-së, Anu Prattipati, iu bashkua Odës Ekonomike të Kosovës në lansimin e dokumentit të politikave për gazin natyror të lëngshëm (LNG), duke theksuar se LNG-ja amerikane e bollshme dhe e besueshme mund të ndihmojë në forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë të pozicionuara për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve të sigurta dhe të diversifikuara energjetike, si dhe në tërheqjen e investimeve të ardhshme. Siguria energjetike është siguri kombëtare”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ambasada në X.

Problematikat me rënien e blloqeve dhe mungesa e kapaciteteve të reja prodhuese, kanë bërë që Kosova të importojë një sasi enorme të energjisë elektrike për të përmbushur nevojat e konsumit.
Viteve të fundit, në skenë janë shfaqur kompani të tregtimit të rrymës, të lidhura me partinë politike në pushtet, të cilat po përfitojnë miliona duke i shitur rrymë Kosovës.
Një prej tyre, “ETMT Energy”, ka qarkulluar 24 milionë euro veç për dy muaj.
Për të njëjtën, pas raportimeve të VOX Kosova, Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet.









