Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka dënuar ashpër deklaratën fashiste të Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezana Paunoviç, e cila tha se “po të isha Slobodan Millosheviç, do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998”.

Konjufca tha se retorika e tillë glorifikon krimet e luftës dhe kërcënon stabilitetin evropian.

“Një ministër i Qeverisë së Serbisë ka bërë thirrje publikisht për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Një retorikë e tillë glorifikon krimet e luftës, kërcënon stabilitetin rajonal dhe është tërësisht e papajtueshme me vlerat evropiane, si edhe me të ardhmen evropiane”, shkroi Konjufca të martën në platformën X.

Kryediplomati kosovar theksoi se “heshtja nuk është një opsion” dhe “as reagimet e dobëta”, derisa kërkoi nga nivelet e larta të Bashkimit Evropian që ta dënojnë qartë këtë deklaratë fashiste.

“Nivelet më të larta të udhëheqjes së Bashkimit Evropian duhet të reagojnë me një dënim të qartë publik, t’ia kujtojnë Serbisë obligimet e saj dhe të sigurojnë që një sjellje e tillë të ketë pasoja në procesin e saj të anëtarësimit”.

Ai theksoi se vendi që përfaqëson mbetet i përkushtuar ndaj demokracisë, një shoqërie multietnike, pajtimit të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe ndaj të ardhmes evropiane. “Edhe Serbia duhet ta zgjedhë këtë rrugë”, konsideron ai.