Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ekspozita skandaloze e ish-këshilltarit të tij, Shkëlzen Gashit, për masakrat në Kosovë, kishte gabime, të cilat theksoi se duhet të korrigjohen e përmirësohen. Ai kërkoi që në vend të saj, të vendoset një tjetër e vërtetë sa më parë.
“Sa i përket ekspozitës, e cila mesa morra vesh tashmë është larguar. Ajo nuk ndodhet më në shesh. Aty ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte edhe të tilla që kishte gabime në tekst. Ato natyrisht doemos duhet të korrigjohen e përmirësohen. E vërteta për ne dhe për krimet e kryera në Kosovë duhet të ekspozohen sa më shumë, jo vetëm para botës, por edhe para nesh. Në veçanti para të rinjve e brezave që do të vijnë”, tha Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë të hënën.
“Për shkak se ju e dini një pjesë e konsiderueshme e popullsisë këtu te ne, për të mos thënë gati gjysma ose kanë qenë fëmijë në kohën e luftës dhe nuk e mbajnë mend qartë dhe nuk kanë pasur si ta kuptojnë atëherë se çfarë po ndodh. Në anën tjetër kemi edhe aq shumë të rinj e të reja që kanë lindur pas luftës dhe kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë, jo vec për të kaluarën tonë”, shtoi.
Ai tha se kjo është e rëndësishme edhe për aspektin ndërkombëtar.
“Një ekspozitë e saktë, e drejtë, e plotë mbi të gjitha natyrisht e vërtetë për krimet e Serbisë në Kosovë, unë besoj se duhet të rikthehet sa më parë. Madje, një datë optimale do të duhej të ishte qershori, përkatësisht koha kur shënojmë përvjetorin e 27 të çlirimit të Kosovë”, potencoi ai.
Sipas Kurtit, ekspozita është më rëndësi që të mos jetë vetëm në Prishtinë. “Ta kemi një ekspozitë që është nëpër të gjitha komunat e Kosovës”, pohoi.
Pasi që u konstatuan pasaktësi, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori vendim që të largohet ekspozita skandaloze për masakrat nga sheshi “Nënë Tereza”.
Për ta kundërshtuar këtë ekspozitë, Organizatat e veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, ka thirrur një protestë për të hënën (sot), nga ora 13:00, te Kuvendi i Kosovës.








