Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka ftuar Kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku që ta respektojë standardin e dorëheqjes, të cilin thotë që vetë ai e kishte proklamuar, derisa ka kërkuar lidership të ri në LDK.

“Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi”, shtoi.

Ai iu referua statutit të LDK-së, duke theksuar se i njëjti është i qartë dhe në rast dorëheqjeje të Kryetarit të LDK-së, sipas tij, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje.

“Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh Kryetarin e ri të LDK-së. Kaq. Kështu ka ndodhur në vitin 2021”.

Çdo devijim nga kjo procedurë statutare, konsideron Hoti, është “tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së”.

Hoti tregoi se në takim konsultativ që u mbajt të hënën në selinë e LDK-së, ka paralajmëruar qartë se “nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hapet rruga për një reformim të tillë, do të pasojë dorëheqja ime nga organet drejtuese të LDK-së”.

“Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së”, shtoi.