Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të ecë përpara, “pa mbetur peng i vonesave politike”.

Këto komente, Haxhiu i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas një takimi që pasur me Riho Terras, raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Kosovën, të cilin e ka falënderuar “për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj rrugës evropiane të vendit tonë”.

Në takim, Haxhiu tha se ka theksuar se Kosova e ka përcaktuar prej kohësh drejtimin e saj dhe se “e ardhmja e vendit tonë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.

“Nënvizova se përparimi i bërë duhet të vlerësohet drejt dhe se aplikimi ynë për anëtarësim duhet të ecë përpara, pa mbetur peng i vonesave politike”, shkroi ajo.

U.D Presidentja theksoi se ka folur me Terras-in edhe për sigurinë, dialogun me Serbinë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë.

“Kosova i ka marrë seriozisht detyrimet e saj dhe pret të njëjtën seriozitet edhe nga Bashkimi Evropian”, potencoi ndër të tjera Haxhiu.

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por që nga ajo kohë ende nuk i është dhënë statusi i vendit kandidat.

Kosova aplikoi kur Presidencën e BE-së e kishte Çekia, më saktësisht në ditët e fundit të Presidencës çeke. Por, as ajo, e as presidencat e tjera më pas nuk e shtyn përpara këtë proces.

Në këtë drejtim, aplikimi i Kosovës nuk po e kalon as fazën e parë formale, që është shqyrtimi nga Këshilli dhe dërgimi në Komisionin Evropian për vlerësim.