Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrje urgjente Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë, Policisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese të veprojnë dhe të qartësojnë gjithçka që ka ndodhur në Mitrovicë lidhur me procesin e zgjedhjeve.
“Askush nuk duhet të frikësohet nga zbardhja e së vërtetës. Procesi elektoral është lënduar dhe duhet sa më shpejt të ketë përgjigje dhe përgjegjësi!”, shkroi Bajrami në Facebook.
Ajo konsideron se nuk duhet dhe “nuk guxon të kalojë si diçka normale”, siç thotë ajo, një gabim i ashtuquajtur “teknik” në fletëvotime.
“Kushdo që ka prekur votat, kushdo që ka guxuar të prekë vullnetin e qytetarëve, e ka vendin në burg”, pohoi ajo.
Gjatë verifikimit të votave në Mitrovicë në Qendrën e Numërimit të hënën, janë gjetur fletëvotime me numra serik që nuk i përkasin klasave dhe shkollave ku ato ishin të vendosura.
Pas kësaj, Prokuroria urdhëroi ndërprerjen e numërimit, ndërsa të martën urdhëroi rifillimin e numërimit.









