Në reagimin e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se “pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës dhe sakrificë shekullore, për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm, e për të cilën luftoi me heroizëm dhe me luftë të pastër Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Osmani ka rikujtuar se gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës. Sipas saj, gjatë luftës së fundit, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, gjë që u manifestua “përmes vrasjes dhe masakrimit të mijëra fëmijëve, grave e të moshuarve, dhunimeve masive, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive dhe dëbimit të mbi 80 për qind të qytetarëve nga shtëpitë e tyre”.

Osmani ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit serb e dëmton rëndë drejtësinë dhe paqen.

“Çdo tentativë që e barazon luftën çlirimtare me krimet e agresorit gjenocidal serb minon besimin në drejtësi dhe rrezikon paqen afatgjatë”, ka theksuar ajo.

Në fund, Presidentja Osmani ka nënvizuar se Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi, duke ritheksuar se “lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër dhe kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet me përpjekje për ta rishkruar historinë apo për ta njollosur betejën e popullit të Kosovës për liri”.