Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar përgjegjësi politike nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ministrja e Drejtësisë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Përmes një postimi në facebook Lushaku-Sadriu ka thënë se pamja e djalit të viktimës në varrim e ka prekur thellë, duke theksuar se ai do të jetojë gjithë jetën pa nënën e tij.

Ajo ka ngritur pikëpyetje për ndërgjegjen e ministrave dhe përgjegjësinë e tyre për dështimin e institucioneve që kanë për detyrë mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Kur merr besimin e qytetarëve për ta udhëhequr shtetin, merr përgjegjësi edhe për dështimet e sistemit. Nuk mund ta pranosh pushtetin e ta refuzosh përgjegjësinë!”, ka shkruar ajo.

Sipas Lushaku-Sadriut, dorëheqja është akt ndërgjegjeje dhe përgjegjësi morale që duhet të merret përtej asaj ligjore.

“Një fëmijë pa nanë përjetë. E dikush nuk pranon të mbetet pa post!”, ka shkruar deputetja e LDK-së.