Zohran Mamdani, Kryetar i New York-ut, ka thënë se Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu “është një kriminel lufte”, derisa ka kërkuar nga Qeveria Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës arrestimin e tij.
Përmes një video-adresimi, Mamdani e ka quajtur Netanyahu-n “arkitekt të një gjenocidi të tmerrshëm kundër popullit palestinez”.
“Ai është përgjegjës për vrasjen e më shumë se 73 mijë njerëzve. Për gjymtimin e dhjetëra mijëra fëmijëve, ndërsa ata që mbijetojnë u nënshtrohen amputimeve pa anestezi. Për shënjestrimin e spitaleve neonatale dhe qendrave të kujdesit për lehonat, duke ua mohuar të porsalindurve edhe mundësinë për të jetuar”, shtoi ai.
“Për njerëzit e panumërt që i la të vdesin nga uria, duke bllokuar ushqimin dhe ndihmën humanitare që të arrinte tek ata. Për vrasjen me armë zjarri të qindra punonjësve të ndihmës humanitare dhe gazetarëve. Dhe vetëm muajin e kaluar, OKB-ja konfirmoi se fëmijët palestinezë vazhdojnë të shënjestrohen dhe të vriten qëllimisht nga forcat e armatosura izraelite, më shumë se tetë muaj pas të ashtuquajturit armëpushim”.
E gjithë kjo, thotë ai, “ndërsa ne, si amerikanë, paguajmë për bombat që kryejnë këto vrasje”. “Ekziston një arsye pse Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër-arrest ndaj tij”.
Ai thekson se pajtohet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale se Netanyahu “duhet të arrestohet dhe të gjykohet për krimet e tij, ashtu siç mendoj për këdo tjetër që akuzohet nga ICC-ja”.
Kryetari mysliman i New York-ut theksoi se administrata e tij ka shqyrtuar çdo mundësi të disponueshme për të parë nëse qytetit që ai drejton mund të zbatojë urdhër-arrestin e ICC-së për arrestimin e Netanyahu nëse ai do të do të shkonte aty, por thekson se “është e qartë se ne nuk kemi autoritet të pavarur ligjor për ta zbatuar këtë urdhër-arrest”.
“Megjithatë, qeveria federale e ka këtë autoritet. Dhe unë i bëj thirrje asaj që t’i bashkohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe ta zbatojë këtë urdhër-arrest”, potencoi ai.
Ai përcjelli edhe një mesazh të prerë: “Benjamin Netanyahu nuk është i mirëpritur në New York”.








