Në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur një aksion simbolik para zyrave të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, duke e konsideruar si “turp” procesin gjyqësor në Hagë.
Protestuesit, të prirë nga kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, mbanin një shirit ku shkruhej në gjuhën angleze: “Pesë vjet padrejtësi e organizuar, pesë vjet turp ndërkombëtar”, të cilin e vendosen përreth objektit të EULEX-it.
Në fjalën e tij para mediave, Gucati shprehu indinjatën e tij në lidhje me, siç tha ai, padrejtësinë që po ndodh me krerët e UÇK-së. Ai theksoi se EULEX-i po i mban peng njerëzit që e sollën lirinë.
“Pikërisht më 5 nëntor të vitit 2020 ku u burgosën padrejtësisht njerëzit të cilët sollën lirinë, paqen dhe pavarësinë e këtij vendi. Sot bëhen pesë vite pafajësi, pesë vite padrejtësi, pesë vite larg familjes, pesë vite që shumë të dashur të tyre kanë ndërruar jetë e ata nuk ishin aty as për t’u dhënë lamtumirën e fundit. Pesë vite që burrat e lirisë po mbahen të mbyllur për një luftë që solli lirinë, paqen dhe shtetin tonë”, tha Gucati.
Ai theksoi se kanë dalë për t’u dërguar mesazh UNMIK-ut, EULEX-it dhe ndërkombëtarëve se “jeni duke mbajtur peng njerëzit, i keni kidnapuar ata njerëz që sollën lirinë, pavarësinë, paqen dhe demokracinë në vend”.
“Ata njerëz të cilët mendojnë me trupin në Kosovë e kokën në Serbi e kanë gabim. Ky vend është i shqiptarëve dhe i të gjithëve atyre që duan të jetojnë në Kosovë të lirë. UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë, ka bë luftë për vendin, për kombin e vet. EULEX dhe njerëzit e EULEX-it tentojnë që luftën çlirimtare të UÇK-së ta barazojnë me hordhitë serbe çetnike paramilitare. Ne nuk jemi ata njerëz që kemi bërë krime, ne kemi bërë vetëm paqe”, shtoi.
I pyetur nëse beson në një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së, Gucati tha se nuk ka shpresë në drejtësinë e Speciales. “Për momentin, rrugën çfarë e ka marrë kjo gjykatë jo nuk besoj, shpresoj që ata do të vijnë të lirë, por kjo gjykatë më shumë është politike se gjykatë që ndan drejtësinë”.









