Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka njoftuar se një rezolutë e mbështetur nga 30 deputetë zviceranë u adresua të hënën në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Me iniciativë të veprimtarit Sali Bislimi dhe në vazhdën e komunikimeve tona ndërkombëtare, një rezolutë e mbështetur nga 30 deputetë zviceranë u adresua sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, së bashku me kryetarin e OVL-UÇK-së, z. Hysni Gucati”, thuhet në njoftim të OVL-UÇK-së.

Nga OVL-UÇK thonë se pas rezolutave të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Kuvendin e Kosovës, “angazhimi për një proces të drejtë po merr jehonë ndërkombëtare”.

Adresimi i këtij dokumenti theksohet se “përfaqëson një hap simbolik në drejtim të respektimit të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë dhe të parimit të një procesi të paanshëm”.

OVL UÇK potencon se do të vazhdojë angazhimin e saj në çdo nivel, “kombëtar dhe ndërkombëtar, për mbrojtjen e vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe për drejtësi të barabartë”.

Më 12 shkurt, Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës miratuan rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.