Elbert Krasniqi, deputet nga radhët e Grupit Multietnik, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos e marrë për bazë ankesën e Listës Serbe në lidhje me çështjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit jo shumicë serb.
Këto komente, Krasniqi i ka bërë në një konferencë për media të enjten, ku bëri të ditur se kanë dërguar komente në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit, pasi që Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, pas ankesës së Listës Serbe.
“Kemi kërkuar nga Kushtetuesja të mos e marrë për bazë ankesën e Listës Serbe, sepse kjo do të prishte balancin e respektimit të të drejtave të të gjithë komuniteteve jo shumicë”, deklaroi Krasniqi.
Situata aktuale, e cila sipas Ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, po tentohet të imponohet nga Lista Serbe, është e njëjta me Bosnje e Hercegovinën.
“Përvoja atje është dëshmi e duhur se çfarë pasojash të rënda sjellë një sistem ku pakica parlamentare mban në dorë të drejtën e vetos dhe bllokon funksionimin e shtetit”, potencoi ai.