Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i ka bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta heqë nga pozita e Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallen, e cila, sipas Gucatit ka dorëzuar dokumente të rreme në Gjykatën Speciale kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në emrin tim dhe në emrin e të gjitha shoqatave të dala nga lufta kërkojmë edhe njëherë Albin Kurtit për ta heqë Donika Gërvallen nga institucionet e vendit, një njeri që shpif, që çon dokumente falso në Gjykatën Speciale. Nuk na duhet të jetë Ministre e Drejtësisë. Kërkojmë që të jap dorëheqje menjëherë”, tha Gucati.
“Ne çlirimtarët e vendit nuk jemi kundër asnjë Qeverie. Jemi kundër atyre njerëzve që heshtin. Jemi kundër atyre njerëzve që gëzohen për dënimin e tyre. Mu sot më befason Albinb Kurti qysh e mban një njeri që ende asnjë fjalë s’e fol për UÇK-në. Një njeri si Donika Gërvalla, që ende s’ka dalë të kërkojë falje para qytetarëve të Kosovës, para çlirimtarëve, para dëshmorëve të kërkojë falje. Sepse ne dijmë të falim”, shtoi.
Në sheshin “Skenderbeu” sot është mbajtur protestë për të tretën ditë me radhë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së, e cila dënoi me 81 vjet burg në total Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.









