Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërcënuar të ndërpresin shpërndarjet e inteligjencës dhe furnizimet me armë për Ukrainën për ta vënë në presion që të pajtohet me kornizën amerikane për paqe, kanë konfirmuar për Reuters dy persona të afërt me çështjen.
Washingtoni i ka prezantuar Ukrainës një plan me 28 pika, që konfirmon disa nga kërkesat fillestare të Rusisë, përfshirë edhe lëshimin e territoreve shtesë nga Ukraina, zvogëlimin e madhësisë së ushtrisë, si dhe ndalimin për tu bashkuar në NATO në të ardhmen.
Burimet, që folën në kushte anonimiteti, kanë thënë se Kievi është në presion më të madh nga Washingtoni se nga çka qenë gjatë diskutimeve të mëparshme për paqe, si dhe që SHBA-ja po do që Ukraina të nënshkruajë një kornizë-marrëveshje më së largu të enjten e javës së ardhshme.
Një delegacion më zyrtarë të lartë ushtarakë nga SHBA-ja u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev këtë të enjte. Ambasadori amerikan në Kiev dhe shefi i ushtrisë për marrëdhënie me publikun e përshkruan takimin si të suksesshëm dhe thanë se Washingtoni pret një “afat agresiv” për nënshkrimin e dokumentit mes SHBA-së dhe Ukrainës.
Zelensky, që pati një telefonatë me liderë evropianë këtë të premte, u duk i kujdesshëm që mos të refuzojë planin amerikan ose të ofendojë amerikanët.









