Ushtria gjermane (Bundeswehr) do të jetë “gati për luftë” deri në vitin 2029, por sa real është kërcënimi i një sulmi rus ndaj NATO-s?

Meqë nuk duket përfundimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës, presioni mbi Gjermaninë për të reformuar industrinë e saj të mbrojtjes po rritet.

Terma si “gatishmëri për luftë” janë përdorur shpesh kohëve të fundit, së bashku me thirrjet që ushtria gjermane (Bundeswehr) të bëhet ushtria konvencionale më e fuqishme në Evropë, diçka që vetëm pak vite më parë dukej pothuajse e paimagjinueshme.

Kërkesat maksimaliste të Rusisë në luftën kundër Ukrainës, të kombinuara me tërheqjen graduale të mbështetjes së SHBA-së nga NATO, shërbejnë si një thirrje e vazhdueshme zgjimi për evropianët, të cilët po detyrohen gjithnjë e më shumë të marrin vetë përgjegjësinë për sigurinë e tyre.

Për t’u bërë të aftë për mbrojtje dhe të aftë për luftë, sa më shpejt të jetë e mundur, qeveria gjermane planifikon të rrisë buxhetin e mbrojtjes në pothuajse 153 miliardë euro deri në vitin 2029.

Viti 2029 përmendet shpesh si një pikë referimi. Deri atëherë, shpenzimet për mbrojtje pritet të arrijnë rreth 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), dhe Bundeswehr-i pritet të jetë “gati për luftë”, pasi një sulm i mundshëm rus ndaj territorit të NATO-s mund të ndodhë rreth asaj kohe.

Në serinë e aktiviteteve “Zeitenwende on Tour”, të organizuar nga Konferenca e Sigurisë së Munihut në fund të nëntorit, Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, Carsten Breuer, tha se “ky vit nuk është thjesht i shpikur”, por bazohet në një “analizë rigoroze”.

“Kjo nuk do të thotë se Rusia patjetër do të sulmojë, por se do të jetë në gjendje ta bëjë këtë”.

Pse pikërisht viti 2029?

Paralajmërimi se Rusia mund të nisë një sulm në vitin 2029 vjen nga një raport i Vlerësimit të Përbashkët të Kërcënimeve i NATO-s i vitit 2023, i cili sugjeronte se brenda tre deri në pesë vjetësh, Rusia mund të jetë në gjendje të zhvillojë një luftë në shkallë të gjerë.

Në vitin 2023, raporti arriti në përfundimin se Rusia mund të ngrejë një ushtri prej 1.5 milionë trupash, plotësisht të pajisur, brenda pesë vjetësh, deri në vitin 2028 dhe të kryejë një sulm të tillë, shpjegoi eksperti i sigurisë, profesori Dr. Carlo Masala, në një podcast.

Zbulimet e radiotelevizionit publik gjerman ËDR tregojnë se vlerësimi përdori satelitë zbulues për të monitoruar aktivitetet aktuale të Rusisë, përfshirë prodhimin dhe rekrutimin, duke u mbështetur plotësisht në të dhëna të inteligjencës.