Ish-Komandanti Suprem i NATO-s, Wesley Clark, në dëshminë e tij në Hagë, si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka folur për “Kërcënimin e Krishtlindjeve” që ish-Presidenti i SHBA-ve, George Bush, ia kishte bërë ish-Presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, për të ndaluar dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Për shkak të dhunës së ushtruar ndaj popullsisë shqiptare nga policia serbe dhe policia speciale, MUP, brenda Kosovës, Presidenti Bush, George H. Bush, i drejtoi një paralajmërim Milloseviç-it duke i kërkuar të ndalonte dhunën ose SHBA do të përgjigjej me kapacitetet e saj”, tha Clark.
Ai theksoi se kjo ishte një referencë e tërthortë se “ne do të përdornim forcën ushtarake për të ndalur shtypjen ndaj shumicës shqiptare në Kosovë”.
Në dëshminë e tij, Clark rikujtoi se ai, së bashku me Richard Hoolbruke, ishin takuar me Millosheviç-in gjatë negociatave në Dejton (marrëveshja që i kishte dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë) dhe kishin provuar që të flisnin me të për Kosovën, por që ai kishte refuzuar.
Pjesë nga dëshmia e Clark-ut:
Ju thoni në paragrafin 5 të deklaratës suaj se gjatë negociatave të Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, përmendët se ishit në dijeni të paralajmërimit të Krishtlindjeve nga George H.W. Bush. A mund të na tregoni çfarë ishte ai paralajmërim dhe pse u lëshua?
Së pari, dua të them se kur filluam negociatat, unë nuk isha në dijeni të tij. Diplomatët ishin shumë të informuar për të.
Por publiku i gjerë dhe ne në ushtri, të cilët kishim qenë diku tjetër në dhjetor të vitit 1992, nuk ishim të informuar.
Por për shkak të dhunës së ushtruar ndaj popullsisë shqiptare nga policia serbe dhe policia speciale, MUP, brenda Kosovës, Presidenti Bush, George H. Bush, i drejtoi një paralajmërim Miloseviçit duke i kërkuar të ndalonte dhunën ose SHBA do të përgjigjej me kapacitetet e saj.
Ishte një referencë e tërthortë se ne do të përdornim forcën ushtarake për të ndalur shtypjen ndaj shumicës shqiptare në Kosovë.
Ju gjithashtu përmendni se më pas iu afruat Miloseviçit në Dejton për trajtimin e shqiptarëve të Kosovës, dhe ai u përgjigj se nuk do të diskutonte këtë çështje. A është e saktë?
Unë isha me të, po, kur Richard Holbrooke dhe unë iu afruam atij, dhe ai tha: “Nuk do të flasim për këtë. Ky është vendi im, problemi im”.
Në rregull.
Pra, ai thjesht refuzoi të fliste për këtë. Besoj se provuam më shumë se një herë. Ne e dinim që ishte një pikë e nxehtë. Ne e dinim që ishte një sfidë. Por ai thjesht refuzoi të fliste për këtë.








