Ministria e Jashtme e Shqipërisë, përmes kryediplomatit të saj, Ferit Hoxha, ka thënë se “ndryshimi i rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë”, siç paralajmëroi Presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiç, “nuk është çështje thjesht e brendshme apo vendim që mund të merret në formë të njëanshme kur pasojat e tij prekin territorin, mjedisin e sigurinë e një vendi tjetër”. Siç shprehet Hoxha, “uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”.

“E drejta ndërkombëtare e ujërave është e qartë në këtë drejtim. Parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar, kontrolluar dhe reduktuar dëmet ndërkufitare, si dhe detyrimi për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim për masat që mund të kenë pasoja ndërkufitare, janë pjesë e standardeve të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare. Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe ka pranuar edhe mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, ka shkruar Hoxha në X.

Sipas Hoxhës,  “çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur”.

“Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore”, shton.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka kërcënuar se po shqyrtohet mundësia e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, për shkak të siç i quan ai “qëndrimit të autoriteteve në Prishtinë ndaj popullit serb”.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, citohet të ketë deklaruar Vuçiç.