Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-sekretarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, dhe një personi tjetër me inicialet N.S., për veprën penale “kanosje”. Ata akuzohen se kanë kërcënuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Klinaku e ka kanosur Kurtin përmes profilit të tij në rrjetin social “Facebook”, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese.
“… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”, kishte shkruar Klinaku në gusht 2023.
Ndërkohë, i pandehuri N.S. akuzohet se ka kanosur Kurtin përmes një postimi publik në Facebook, duke iu referuar dhe mbështetur në deklaratën e Klinakut, për shkak të funksionit të kryeministrit.









