Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion kundër kryeshefit të Ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, Faruk Mujka si dhe kundër Hysen Muzliukajt, ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë. Në këtë formë, siç raporton Betimi për Drejtësi, janë refuzuar ankesat e paraqitura nga avokatët e dy të pandehurve, gjersa vendimi i Gjykatës Themelore për konfirmimin fillestar të aktakuzës është vërtetuar.
Sipas Prokurorisë, Mujka, së bashku me Hysen Muzliukaj, dyshohen se i shkaktuan dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbi 125 mijë euro.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”.
Më 17 dhjetor 2025, VOX Kosova kishte publikuar aferën e punësimit ilegal të Faruk Mujkës si Kryeshef i Ndërmarrjes Ibër-Lepenci, me ndikimin e drejtpërdrejtë të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Koordinatores së Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali.









