Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bastisur të hënën objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe shtëpinë e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie, Hasan Krasniqi, ku janë sekuestruar prova materiale (dokumente) të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike kanë kryer urdhër kontrollin në kuadër të hetimeve që në koordinim me Prokurorinë Speciale, janë duke u ndërmarrë për të gjitha dyshimet që janë objekt i hetimit penal”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë.
Hetimet lidhen me dyshimet për disa vepra penale.
“Hetimet po zhvillohen për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; Falsifikimi i dokumentit zyrtar; Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore; Konflikt i interesit dhe Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik”, theksohet aty.
Prokuroria në bashkëpunim me Policinë njoftohet se është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.









