Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal të ushtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës kundër tij, në lidhje me ndërhyrjet në grantet për bujqësi. Ish-ministri i Bujqësisë në postim është lëshuar në ofendime ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri.

“Ndërkohë, gjatë intervistimit tim në prokurori, “mijushi” i LDK-së, Guri, kishte deklaruar se mezi pret të shihemi në gjykatë. Po, në gjykatë do të shihemi, sepse nga sot fillon përgatitja e kallëzimit penal për kallëzim të rremë penal, të ideuar nga Lumir Abdixhiku, të nënshkruar nga Hykmete Bajrami dhe propaganduar me shpifje e paturpësi nga “tellalli” i tyre, Guri”, ka shkruar në profilin e tij Peci.

Në nëntor të vitit 2024, ishte kuptuar se Ministria e Bujqësisë nën drejtimin e Faton Pecit u kishte dhënë grante dajës dhe vëllaut të atëherë deputetes së VV-së, Fitore Pacollit, e cila në atë kohë mbante pozitën e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.

Përveç saj, grant kishte fituar edhe Naim Huruglica, ish-këshilltar i Pecit.